Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-gardianit të burgut të Prishtinës, Boban Toniq, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Toniq, i njohur me nofkën “Bellko”, ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën fillestare të rastit.
Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria Speciale më 31 dhjetor 2025, e ngarkon Toniqin me pretendime për kryerjen e krimeve të luftës gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe në paralelen e tij në Lipjan.
Sipas prokurorisë, Toniq, në bashkëkryerje me ish-gardianët: Jovan Jovanoviq, Avdia Sutkoviq dhe Zoran Gjokiq, dyshohet se kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurit shqiptarë, duke përdorur dhunë fizike dhe forma të tjera të torturës.
Në aktakuzë përmenden rrahjet me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome dhe shufra metalike, si dhe pretendimet se të burgosurit janë lënë pa ushqim për ditë të tëra.
Po ashtu, në një nga pikat e aktakuzës pretendohet se, gjatë periudhës 24 maj–10 qershor 1999, pas transferimit të të burgosurve nga burgu i Dubravës në burgjet e Prishtinës dhe Lipjanit, të akuzuarit kishin formuar kordon dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tyre, duke i kanosur edhe me vdekje.
Toniq akuzohet për veprën penale: “Krime lufte kundër popullatës civile”, sipas nenit 142, lidhur me nenin 22 të ligjit penal të ish-RSFJ-së.
Ai u arrestua në prill të vitit 2025 dhe që nga atëherë po mbahet në paraburgim.

