Bashkimi Evropian ka përsëritur të enjten se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese për të cilat duhet të respektohet korniza dhe procedura e caktuar në BE, por vëtëm masa dhe instrumente të përkohshme për të dëshmuar se BE është serioze në përpjekjet e saja për të ulur tensionet.
Këtë e ka thënë zëdhënësi për çështje të politikë së jashtme dhe sigurisë Peter Stano, të enjten në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel.
Stano ka përseritur se këto masa janë të përkohshme dhe se do të hiqen nga rendi i ditës kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmerr hapat që kërkohen nga ai për të ulur tensionet.
Ai ka thënë se disa nga këto masa nuk kanë qënë të lehta për BE-në që t’i miratojë, por janë ndërmarrë pasi, sipas tij “është parë se nuk ka hapa për shtensionim të situatës”.
“Pra fjala është për instrumente që ne përdorim për të dëshmuar se BE është serioze kur thotë se pret shtensionim të situatës dhe reagim kur një gjë e tillë nuk ndodhë“, ka thënë Stano.
Stano ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë takim “sekret“ në Bruksel për të cilin ka folur të mërkurën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
I pyetur se a mban BE-ja përgjegjësi pse nuk i ka realizuar premtimet për të siguruar pjesëmarrjen e Listës Sërpska në zgjedhjet lokale, pasi Kosova kishte pranuar t’i shtynte ato dhe kishte pranuar aneksin për zbatim të marrëveshjes në takimkin e Ohrit, Stano përgjigj duke thënë se fokusi tash duhet të jetë shtensionimi dhe nuk po shihet se diçka e tillë po ndodhë në terren.
Bashkimi Evropian ka deklaruar se është duke e përcjellë për së afërmi çështjen e kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha gjatë konferencës se BE-ja është në kontakt me të dyja vendet dhe KFOR-in për të kuptuar se çfarë saktësisht ka ndodhur.
“Jemi duke e përcjellë për së afërmi dhe është një çështje urgjente. Ne jemi në kontakt me të dyja palët dhe KFOR-in për të kuptuar saktësisht se çfarë ndodhi dhe si ndodhi”, tha Stano.
Ai shtoi se kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë rritje të tensioneve.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga ndonjë veprim apo reagim që do të kontribuonte në rritje të tensioneve, të cilat aktualisht janë të larta dhe kërkojmë që urgjentisht të dyja palët të angazhohen për de-eskalim të situatës”, tha Stano.
Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.