Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, dhe Zëvendësambasadoren, Şeyda Çimeli Aydın.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se gjatë takimit, kryetari Basha e ka informuar ambasadorin për zhvillimet e fundit në institucionin që ai udhëheq, me theks të veçantë për procesin e konstituimit të Kuvendit.Sipas komunikatës, kryeparlamentari Basha ka deklaruar se do të punojë ngushtë me të gjitha komunitetet në vend, duke garantuar respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre sipas standardeve që ofron legjislacioni i Kosovës.
“Një nga temat kyçe të diskutimit ishte edhe pozita e mërgatës shqiptare në Turqi, e cila është vlerë e shtuar dhe faktor i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve. Mërgata shqiptare ka kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore dhe ekonomike, duke krijuar urë të fuqishme mes popujve tanë.” – thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Kryetari Basha po ashtu ka falënderuar ambasadorin turk për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, sidomos në fushën e mbrojtjes, duke e cilësuar këtë si një element të rëndësishëm për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.“
Në kuadër të këtij takimi, Ambasadori turk, z. Sabri Tunç Angılı, i dorëzoi Kryetarit Basha letrën e urimit nga Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Prof. Dr. Numan Kurtulmuş. Në mesazhin e tij, kryetari Kurtulmuş shprehu “urimet për popullin vëllazëror të Kosovës për paqe dhe mirëqenie, duke i përcjellë gjithashtu urimet për sukses dhe shëndet për anëtarët e nderuar të Kuvendit të Kosovës.” – u tha mes tjerash në njoftimin e Kuvendit.
Në përmbyllje të takimit, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka falënderuar homologun turk për urimin dhe ka rënë dakord me ambasadorin Angılı për nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes dy parlamenteve. Palët janë zotuar se së shpejti do të krijohen grupe miqësie parlamentare, të cilat do të shërbejnë për forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.


