Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht kryesues i Radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau, dje ka arritur për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Ai është dje pritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ministri Rau sot do të pritet në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca si dhe nga ministrja Donika Gërvalla, si dhe një takim do të ketë ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.
Polonia është në grupin e shteteve të para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, më 26 shkurt 2008, por ende nuk ka hapur ambasadë në Prishtinë.
Ndryshe muajin e kaluar është mbajtur ceremonia e inaugurimit të fluturimit të parë të një linje ajërore Varshavë-Prishtinë-Varshavë, e cila do të jetë në shërbim të përafrimit dhe rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve. Po ashtu Polonia në Kosovë ka prezencë ushtarake në kuadër të NATO-së. Tani Polonia ka në Kosovë 247 ushtarë.