Pas heqjes së barrikadave dhe lirimit të rrugëve, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë qenë të stacionuar tash e 21 ditë në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, kanë bërë ndërrimin e rregullt sot gjatë paradites.
Rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak, kanë qenë të bllokuara për 20 ditë nga serbë lokalë, që u barrikaduan pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, si të dyshuar për sulm ndaj Policisë e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Siç mëson KosovaNews, policët që ishin të stacionuar atje, tashmë kanë bërë ndërrimin e rregullt.
Pjesëtarët policorë sot në ditën e 21-të kanë shkuar përmes rrugës magjistrale në Jarinjë, meqë tashmë barrikadat janë hequr dhe nuk ka pasur ndonjë pengesë, raporton KosovaNews
Kujtojmë se edhe gjatë ditëve të kaluara është bërë ndërrimi i policëve, por përmes mbështetjes së Misionit EULEX dhe KFOR-it, duke shfrytëzuar makineritë e tyre dhe helikopterët.
Në veri të vendit sot, konkretisht në fshatin Zupç të Zubin Potokut është larguar edhe një barrikadë e fundit e cila qëndroi aty për disa ditë, e vendosur nga bandat kriminale serbe.
Në vendngjarje janë edhe pjesëtarët e karabinierëve italian.
Kurse dje është bërë largimi i barrikadave në fshatin Rudarë, i cili gjendet në Zveçan.
Këto barrikada janë në rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, e të cilat ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.
Nga pamjet që i ka kapur KosovaNews, shihen edhe persona të maskuar duke i ndezur kamionët dhe mjetet tjera të rënda.
Të njëjtit persona edhe kanë hipur në kamionë për t’i larguar nga barrikada.