Babai i Albion Rrahmanit shfaqi flamurin e Kosovës në stadiumin e Rapid Bukureshtit menjëherë pasi ish-sulmuesi i Ballkanit shënoi gol. Rapidi triumfoi 2:1 ndaj Hermannstadtin të premten.
Rrahmani realizoi golin e dytë. U asistua nga një tjetër kosovar, Ermal Krasniqi, i cili po ashtu shënoi gol në këtë ndeshje.
Pasi Rrahmani shënoi golin e nëntë në 11 ndeshje për Rapidin, babai i tij valëviti flamurin e Kosovës. Por kjo nuk zgjati shumë. Ai u alarmua nga personat zyrtarë që duhej ta hiqte flamurin. Siç raporton “digisport”, babai i Rrahmanit kërkoi falje dhe hoqi flamurin.

Më pas, gjithçka shkoi në normalitet.
Rumania është në mesin e pesë shteteve evropiane që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.
Në kualifikueset e “Euro 2024”, në ndeshjen që Kosova e zhvilloi në Bukuresht, pati kore raciste në tribuna – për çka edhe ndeshja ishte ndërprerë për pak kohë. Kosova është në grup me Rumaninë edhe në Ligën e Kombeve, ndeshjet e së cilës do të zhvillohen këtë vit.


