Në orët e para të mëngjesit të sotëm, objekti i ish- Gjimnazit të Vjetër në Ferizaj, u përfshi nga zjarr masiv, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Pikërisht në natën e parë pas fillimit të punimeve për restaurimin e objektit të ish-Gjimnazit që është pjesë e trashëgimisë kulturore, ka pasur zjarr që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme brenda tij, edhe ashtu në gjendje jo të mirë.
Në një reagim të tij, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani ka thënë se kjo hapësirë me vlerë të rëndësishme për historinë e qytetit është obligim institucional dhe për mbi dy dekada, deri në ditën e djeshme, nuk u investua asnjë cent nga askush.
“Zjarri i orëve të para të mëngjesit të sotëm duhet të hetohet detajisht dhe të zbardhen rrethanat e rastit, sepse siç duket dikujt po i pengon trashëgimia jonë kulturore dhe investimi në mbrojtjen e saj.Prandaj, duhet angazhim i posaçëm i organeve të rendit për të hetuar të gjitha hollësitë e ngjarjes e cila e ka dëmtuar Gjimnazin e parë të qytetit tonë”, ka shkruar Ramadani.


