Pas raportimit se drejtori i shkollës me bordin e prindërve në një shkollë të Suharekës, kanë marrë vendim ta përjashtojnë një mësimdhënëse nga puna vetëm pse e ka vendosur shaminë, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Një arsimtare e matematikës me emrin Remzie Lezi, e cila është e angazhuar në një shkollë të komunës së Suharekës, është përjashtuar nga e drejta për ta ushtruar profesionin e saj, për shkak të vendosjes së shamisë.
Sipas një dokumenti të publikuar në rrjete sociale, Këshilli Drejtues i Shkollës ka vendosur në mënyrë unanime, që Lezi të përjashtohet nga shkolla.
“Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokument.
E ndaj kësaj ka pasur reagime të shuma, por sot fjalën e saj për këtë çështje e ka dhënë edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Në një prononcim për KosovaNews Nagavci ka thënë se ky vendim si i tillë s’ka asnjë bazë ligjore dhe s’prodhon asnjë efekt juridik.
“Nuk e di a është e vërtetë se ekziston kjo mësuese dhe se dikush ka marrë këtë vendim, por nëse po, kjo s’ka asnjë efekt juridik. UA 03/2016 (neni 3, pika 7), thotë si në vijim: Me rastin e formimit të Këshillit Drejtues të Shkollës (KDSh) duhet konsideruar barazinë gjinore. Pra, ky vendim s’ka asnjë bazë ligjore dhe s’prodhon asnjë efekt juridik”, ka thënë për KosovaNews, ministrja Nagavci.

Mësueses Remzije Lezi nga Reshtani i Suharekës dje i është shqiptuar vendimi për moslejimin e ushtrimit të profesionit të saj si mësuese pranë shkollës “Flamuri i Arbërit”, për siç thuhet “shkak të shamisë”.
Vendimi i marrë më 26 gusht ndaj mësueses së matematikës dhe aty thuhej se se i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniforme fetare.