Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë arrestuar një shtetas të Kosovës, me inicialet F.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Sipas Prokurorisë Speciale, arrestimi është kryer në pikën kufitare në Merdare, në Podujevë, pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente.
Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
“Institucionet riafirmojnë përkushtimin për luftimin dhe ndjekjen penale, si dhe për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, në veçanti ndaj atyre që cenojnë sigurinë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me dyshimet për veprimtarinë e personit të arrestuar.

