Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për kërcënim ndaj një zyrtari policor në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Vendimi i Prokurorisë vjen në ditën kur portali KosovaNews publikoi ekskluzivisht një video nga ngjarjet e sotme në Kuvend, në të cilën, sipas pamjeve të publikuara nga portali, shihet një person që paraqitej si mërgimtar duke iu drejtuar në mënyrë kërcënuese një pjesëtari të Policisë së Kosovës me fjalët: kujdes a e din kush jam unë…
Pas publikimit të pamjeve dhe postimeve në rrjetet sociale lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar zyrtarisht, duke bërë të ditur se prokurori kujdestar ka autorizuar Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme (NJHP) të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka autorizuar Policinë që të sigurojë dhe administrojë pamjet e kamerave të sigurisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të mbledhjes dhe sigurimit të provave relevante.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit si dhe sigurimin e provave të nevojshme”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Sipas vendimit të prokurorisê pritet të analizojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë brenda Kuvendit për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur.
Prokuroria nuk ka bërë të ditur identitetin e personit që dyshohet se ka kërcënuar zyrtarin policor dhe as nëse deri më tani është ndërmarrë ndonjë masë ndaj tij.
Në fakt bëhet fjalë për Hysni Beqirin nga fshati Bask i Skënderaj i cili në bazë të pamjeve që ka publikuar KosovaNews është parë duke u kujdesur për sigurinë e Sami Lushtakut.

