Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka prangosur tre persona, pasi ata dyshohet se kanë vjedhur gjësende të ndryshme nëpër shtëpi në komunën e Gjilanit.
Drejtoria Rajonale Gjilan, Stacioni Policor Gjilan njofton se me datën 28.09.2022 ka pranuar një ankesë nga një qytetar, i cili ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e tij nga ku kanë vjedhur gjësende të ndryshme.
Sipas policisë, në po të njëjtin lokacion janë paraqitur edhe tri raste të tjera të ndryshme të vjedhjeve të rënda.
“Njësiti i Hetimeve të krimit nga Stacionit Policor Gjilan pas një pune të mire operacionale me datën 29.09.2022 ka arritur që të siguroj informata se tre të dyshuarit shqiptar kosovar A.T. (1997), A.E. (2000) dhe A.R. (2001) në bashkëveprim kanë kryer këto raste të vjedhjeve”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se tre të dyshuarit janë lokalizuar dhe arrestuar nga ana e policisë të cilët janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore.
Gjërat që kanë vjedhur të dyshuarit
Nga të dyshuarit si dëshmi materiale për Gjykatën janë sekuestruar: Një (1) televizor i markës ,,Samsung’’, një (1) biçikletë, një (1) makinë shpuese e markës ,,Bosch’’, një (1) orë dore e markës ,,Breitling’’, një (1) zmadhues zëri i markës ,,Bose’’, një (1) makinë për prerje të flokëve, enë të ndryshme të kuzhinës, parfume e mjete higjienike, veshmbathje e gjera të tjera të cilat pas verifikimit do të kthehen tek pronarët e ligjshëm.
Policia sqaron se në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarve të ngritët kallëzim penal për veprën penale ,,Vjedhje e rëndë’’ dhe tre të dyshuarit e lartëcekur të ndalen në mbajtje për 48 orë./KosovaNews/



