Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.
Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur më 07.04.2026, rreth orës 10:00, kur të dyshuarit, janë hasur duke shpërndarë dokumente të ndryshme në shërbim të Postës së Serbisë.
Gjatë kontrollit në banesat e tyre, policia ka sekuestruar si prova materiale dokumente të ndryshme, të cilat sipas autoriteteve shërbejnë si dëshmi se të dyshuarit kanë ushtruar veprimtari si postierë të postës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.
Kujtojmë se me 5 gusht 2024, Qeveria e Kosovës e ka mbyllur Postën e Serbisë në Mitrovicë të Veriut, e cila ka funksionuar për vite me radhë në veri të Kosovës, kryesisht në komunat me shumicë serbe, duke ofruar shërbime postare pa licencë dhe jashtë sistemit institucional të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, përmes institucioneve përgjegjëse dhe Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë veprime për ndërprerjen e këtyre shërbimeve, duke i konsideruar si veprimtari ilegale dhe në kundërshtim me sovranitetin shtetëror.


