Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka reflektuar mbi humbjen 4-2 ndaj Milanit në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Hong Kong, duke theksuar aspektet pozitive, por edhe nevojën për përmirësim në disa fusha kyçe.
Në konferencën për shtyp pas takimit, holandezi tha: “Pashë disa gjëra të mira, por mendoj se duhet të përmirësohemi edhe në disa fusha”.
Slot theksoi se mungesa e disa prej lojtarëve kryesorë ndikoi në organizimin dhe performancën e skuadrës: “Sot u kundërsulmuam shumë, por kjo ndoshta ka të bëjë edhe me faktin se na munguan shtatë lojtarë të nivelit të lartë dhe donim t’u jepnim kohë loje 20 lojtarëve. Si rezultat i kësaj, shumë lojtarë nuk luajtën në pozicionin e tyre”.


