Ambasadorja amerikane Yuri Kim u ka drejtuar një mesazh gazetarëve, duke iu referuar rasteve kur kryeministri Edi Rama refuzon t’i përgjigjet pyetjeve të tyre, madje i dërgon ata për riedukim.
Gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Laboratorit të Gazetarisë Investiguese, Ajo u shpreh se është detyrë e gazetarëve që të bëjnë pyetje.
Ajo theksoi se çdo zyrtar duhet t’i përgjigjet gazetarëve, edhe nëse nuk i pëlqen pyetja e drejtuar.
“Është detyra juaj profesionale dhe një shërbim publik të bëni pyetje. Është detyra e zyrtarëve, duan apo nuk duan ata, që t’iu përgjigjen pyetjeve. Nëse zyrtarët nuk u përgjigjen pyetjes tuaj, përsëriteni dhe përsëriteni sërish”, theksoi Ambasadorja Kim.
“Kërkojuni kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën pyetje derisa zyrtarët, pavarësisht se kush janë ata, të përgjigjen. Shpresoj që të vazhdoni të punoni fort për të ndriçuar, edukuar dhe për të qenë rojtarët e së vërtetës që i duhen demokracisë së Shqipërisë”, tha Yuri Kim.


