Ambasada e Britanisë në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria që të pezullohet zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin.
Në një përgjigje për KOHËN, thuhet se kërkohet periudhë mjaftë e gjatë e transicionit për komunikim publik më të qartë dhe më efektiv.
Është theksuar se çështja duhet të diskutohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara theksojnë se rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme, e cila synon të reduktojë paratë e falsifikuara, të ruajë stabilitetin financiar, si dhe të rrisë transparencën e flukset e parasë në Kosovë, megjithatë ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe. Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkolla dhe spitale, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Britanisë.