E ardhmja e Julian Alvarez te Atletico Madrid duket gjithnjë e më e pasigurt.
Sulmuesi argjentinas ka shprehur publikisht dëshirën për t’u larguar nga klubi spanjoll gjatë afatit kalimtar të kësaj verë, pavarësisht se drejtuesit madrilenë kanë refuzuar tashmë një ofertë të majme prej 150 milionë eurosh.
Pas fitores së Argjentinës ndaj Austrisë në Kupën e Botës, Alvarez konfirmoi se i ka komunikuar klubit qëndrimin e tij dhe se dëshiron të nisë një kapitull të ri në karrierë.
“Ndoshta nuk është momenti i duhur për të folur për këtë çështje, por jam treguar i sinqertë me klubin. Kam respekt të madh për tifozët dhe Atletico Madridin, por besoj se largimi im do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjitha palët. Është një ëndërr që dua ta realizoj”, deklaroi sulmuesi argjentinas.
Deklarata e tij vjen vetëm pak ditë pasi Atletico Madrid hodhi poshtë një ofertë prej 150 milionë eurosh nga Real Madridi. Interesim për lojtarin raportohet të ketë shfaqur edhe Barcelona, por deri tani nuk ka pasur kontakte konkrete mes palëve.
Qëndrimi i klubit madrilen mbetet i pandryshuar. Drejtuesit e Atleticos kanë bërë të qartë se çdo skuadër e interesuar duhet të paguajë klauzolën e lirimit, e cila kap vlerën e 500 milionë eurove.
Situata ka nisur të marrë përmasa më të mëdha dhe në mediat spanjolle po flitet edhe për një përplasje ligjore. Sipas rregulloreve, një klub nuk mund të negociojë drejtpërdrejt me një futbollist që ka kontratë aktive pa miratimin e skuadrës së tij, çka mund të sjellë pasoja nëse vërtetohet ndonjë shkelje.
Ndërkohë, Alvarez nuk po kalon momentin më të mirë me kombëtaren argjentinase. Pas problemeve fizike në kavilje gjatë muajit të fundit, ai ka pasur pak minuta në dispozicion dhe ka mbetur në hijen e Lautaro Martinez.
Megjithatë, trajneri Lionel Scaloni mund t’i japë një mundësi si titullar në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Jordanisë, me kualifikimin që tashmë është siguruar.
Larg formës që e bëri një nga protagonistët kryesorë të triumfit të Argjentinës katër vite më parë, Alvarez po përballet me një periudhë vendimtare, si për karrierën e tij në klub, ashtu edhe për rolin në përfaqësuese.


