Policia e Kosovës njofton se pas mesnatës kishin pranuar një informacion për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në një lokal në Prishtinë, ndërsa pas daljes në vendngjarje dhe kryerjes së kontrolleve, ka rezultuar se alarmi ishte i rremë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 00:10 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në një lokal në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën. Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata ka rezultuar të jetë e rrejshme”, konfirmoi Ahmeti.
E njëjta shtoi se me urdhër të prokurorit është iniciuar rast “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.


