Dëshmi të reja të publikuara nga Komisioni i Pavarur për Afganistanin kanë ngritur akuza shumë të rënda ndaj ushtrisë britanike për vrasje të civilëve gjatë viteve 2010–2013, shkruan NTV, transmeton KosovaNews.
Forcat elitare të njohura si SAS dyshohet se kanë ekzekutuar civilë të pafajshëm dhe madje edhe fëmijë, ndërsa këto ngjarje janë mbuluar në raportet zyrtare.
Sipas dokumenteve, në disa operacione ushtarët britanikë kanë vrarë persona që nuk paraqisnin asnjë rrezik. Dëshmitari i fshehtë “N1466”, i cili ka shërbyer në Afganistan, ka treguar se numri i njerëzve të vrarë shpesh ishte shumë më i lartë sesa numri i armëve të gjetura në vendngjarje – një tregues i qartë se disa viktima mund të jenë vrarë pa arsye.
Në një rast të vitit 2012, dy fëmijë 1.5 dhe 3 vjeç u vranë në shtratin e tyre gjatë një bastisjeje të natës. Komisioni vlerëson se kjo nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë si “gabim”.
Dëshmitari ka treguar gjithashtu se disa persona, të cilët ishin dorëzuar vullnetarisht apo ishin në paraburgim, janë vrarë më pas me arsyetimin se “kanë tentuar të kapin armë”. Sipas tij, këto justifikime janë fabrikuar për të fshehur vrasje të paligjshme.
Në disa operacione, armë dhe granata janë vendosur mbi trupat e viktimave për t’i bërë raportet të dukeshin të ligjshme. Madje, dëshmitari thotë se e njëjta armë është përdorur në foto të ndryshme, duke treguar manipulim të provave.
Hetimet nisën pas një programi të BBC-së në vitin 2022, i cili zbuloi se mbi 50 të ndaluar afganë ishin vrarë në rrethana të dyshimta nga ushtria britanike. Pas këtyre zbulimeve, Britania formoi komisionin hetimor që tani ka publikuar dëshmitë e para.
Autoritetet britanike pritet të përballen me presion të madh publik për të dhënë llogari lidhur me akuzat dhe për të sqaruar se çfarë ka ndodhur saktësisht gjatë operacioneve në Afganistan./KosovaNews/


