Një aksion i gjerë është zhvilluar ditë më parë nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në disa lokacione të ndryshme të Kosovës, me ç’rast janë prangosur 13 persona dhe janë sekuestruar mbi 55 mijë euro, gjashtë vetura dhe gjëra tjera.
Aksioni i koduar “TOTO” është zhvilluar nën dyshimin se persona të ndryshëm janë përfshirë në vepra penale fajdesë, detyrimit dhe skemave piramidale.
E sot nga një muaj paraburgim u është caktuar 13 të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale në rastin “TOTO”.
Sipas njoftimit masa e paraburgimit ka nisur nga data e arrestimit, 5 tetor.
I dyshuari S.K., dyshohet për “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm” dhe “Fajdeja”, P.K., dyshohet për “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm”, S.G., dyshohet për “Fajdeja” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, L.B. dyshohet për “Fajdeja”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Sulmi”, “Fajdeja”, “Detyrim”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I.K., dyshohet për “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm”, V.T., dyshohet për “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm”, B.K., dyshohet për “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërkaq D.K., A.G., A.D., H.Xh., A.S., E.G. dyshohen për “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm”.
“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë – posaçërisht nga procesverbalet të kontrollit mbi sekuestrim të përkohshëm të sendeve, telefona dhe pajisje elektronike, makinë për numërim të parave, para të gatshme Euro, Franga Zvicerane, Narkotikë, Armë, foto dokumentacione procesverbalet e marrjes në pyetje pranë Policisë, nga të gjitha këto prova dhe të tjera, rrjedh dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Policia e Kosovës pas aksionit pati dhënë disa detaje për rastin “TOTO”, ku bëhej e ditur se janë arrestuar 13 të dyshuar.
Sipas njoftimit, gjatë operacionit janë kontrolluar 19 lokacione vendbanime dhe lokale, ku disa prej të dyshuarve janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave online të bixhozit.
“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: para të gatshme 55.388 euro, 1700 franga zvicerane, 50.000 lek, 100 dollar 1320 dinar serb, dy armë zjarri, 39 copë fishek, 29 telefona celularë, 1 kompjuter laptop, 2 USB, 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura”, thuhej në raportin policor.


