Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për kontratat njëburimore.
Në një status në Facebook, Abdixhiku ka paralajmëruar se do t’i trajtojnë të gjithë tenderët njëburimorë të dhënë gjatë Qeverisë Kurti, derisa ka akuzuar pushtetin për ikje nga debati i së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ku në një seancë të jashtëzakonshme u diskutua për kontratat njëburimore.
“Debatit në Kuvend i ikën; lëshuan sallën, por të vërtetës nuk kanë nga t’i ikin! Këto, dhe kontratat tjera njëburimore, do t’i trajtojmë ditët në vijim. Në Kuvend dhe jashtë tij; le të kuptojmë se si prapa perdes së popullzimit dhe arrogancës së të paprekurit fshihet një tenderomani selektive dhe sistematike si asnjëherë më parë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka dhënë shifra e vlera të tenderëve që janë dhënë.
“Plot 781 tenderë, në vlerë prej 209 milionë eurove, janë dhënë nga ‘Pushteti i Shpresës; me negocim të drejtpërdrejtë! Pa procedura, pa konkurrencë, me muhabet të drejtpërdrejtë! Pra, e thërrasin një biznes që e zgjedhin vet, dhe i japin tender! Kaq thjeshtë! Nuk ka garë, nuk ka çmim të lirë, ka marrëveshje një me një! Kështu janë ndarë plot 209 milionë euro; 781 herë! 30 milionë vitin e parë; 70 milionë në të dytin, 109 në të tretin. Sa më gjatë në pushtet, aq më i mësuar zanati!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se në Korporatën Energjetike të Kosovës 13 tenderë njëburimorë i janë dhënë të njëjtës kompani.
“Në KEK, 13 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë, i janë dhënë një biznesi të njëjtë. 13 herë, pa procedurë, pa konkurrencë, me zgjedhje të drejtpërdrejtë 6 milion euro biznesit të njëjtë. Jo një herë, jo dy herë, jo tre herë por plot 13 herë!”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Sipas tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme me negocim është dhënë një tender 13 milionë eurosh. “Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shërbime të IT-së, 15 milionë euro me negocim, pa procedurë e pa konkurrencë, i janë dhënë një biznesi me një tender. Plot 15 milionë euro me muhabet të drejtpërdrejtë; në një fushë me dhjetëra biznese me shërbim të njëjtë!”, ka shkruar Abdixhiku.