Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit të pronave që është bërë, dhe tatimi në pronë të llogaritet sipas vlerave të fundit të bëra para vitit 2022.
AAK-ja në faqen zyrtare në Facebook, ka thënë se propozimi që është bërë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, që të falen nga komunat 100 eurot e para për çdo tatimpagues, është “mashtrim dhe anti-ligjor”.
“Vendimi i Ministrisë së Financave për rritjen e tatimit në pronë, ka goditur direkt xhepin e qytetarëve, në këtë kohë kur çmimet për secilin produkt janë dyfishuar. Në mungesë të veprimeve serioze në shërbim të rritjes së mirëqenies socio-ekonomike, qeveria paska vendosur që përmes kuvendeve komunale të vazhdojë me mashtrim, me propozimin për faljen e tatimit në pronë për 100 euro. Kjo nismë është anti-ligjore, sepse Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë. Kjo qasje mashtruese duhet të ndalet! Të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022!” – thuhet nga AAK-ja.