Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të marr pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, me partitë politike lidhur me zgjedhjet në komunat veriore.
Këtë e ka konfirmuar drejtor i informimit të AAK-së, Lulëzim Blaka.
Në përgjigjen e tij, thuhet se, qëndrimi i AAK-së për zgjedhjet në veri që nga fillimi ka qenë që ato të shtyhen, sepse siç është vlerësuar nga kjo pari, nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre.
Në përgjigje thuhet edhe se, nga AAK-ja besojnë që edhe presidentja por edhe partitë tjera të reflektojnë e të bashkohen me qëndrimin e AAK-së.
“Qëndrimi i AAK për zgjedhjet në veri, që nga fillimi kur është hapur kjo temë, ka qenë që ato të shtyhen, sepse kemi vleresuar se nuk eshte momenti i pershtatshem per mbajtjen e tyre. Ky është qëndrimi jonë që e kemi bërë publik në shumë raste e deklarata, tash e sa kohë. Andaj, ashtu si nuk kemi marrë pjesë në takimin e mëhershëm me Presidenten, nuk e vlerësojmë as tash të marrim pjesë, dhe besojmë që Presidentja dhe partitë e tjera politike të reflektojnë e të bashkohen me qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë Blaka.
Ndërkaq, pjesëmarrjen në këtë takim, e ka konfirmuar PDK-ja.
Nga PDK-ja kanë thënë se do të jenë pjesë e takimit, por se qëndrimi i tyre dihet që janë kundër shtyrjes së zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq edhe Zubin Potok.