Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka dështuar të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave dhe aseteve të dhëna me qira, kështu ka thënë në një konferencë për media auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca.
Spanca ka shpalosur sot para mediave gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të auditimit: “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012-2021”, si dhe “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga donatorët për vitin 2021”.
Ajo theksoi se vlera potenciale e humbjes financiare nga këto raste është afro 800 mijë euro.
“Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se masat e shpejta dhe rigoroze kërkohet të ndërmerren për t’i përmirësuar proceset e dhënies me qira të pronave të administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Gjithashtu edhe komunat duhet të ndërmarrin veprime konkrete për të përmirësuar menaxhimin e granteve të donatorëve. Për sa i përket auditimit të të hyrave nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, objektivi i audimimit ishte të vlerësohet nëse agjencia ka menaxhuar si duhet pronat dhe asetet e tjera të dhëna me qira në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky auditim përfshinë procesin e dhënies së pronave dhe aseteve me qira për periudhën 2012-2021. Bazuar në atë çfarë kemi gjetur, konkuzioni i auditimit është, se AKP ka dështuar të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave dhe aseteve të dhëna me qira, të cilat ishin nën administrimin e saj. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se rreth 41 për qind e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi, dhe vlera potenciale e humbjes nga këto raste të testuara që AKP i ka shkaktuar është mbi 800 mijë euro”, theksoi ajo.
Më tej Spanca ka thënë se AKP nuk ka menaxhuar si duhet edhe “Ndërmarrjen e Re Grand hotel”.
“Po ashtu kemi identifikuar raste kur vazhdimi i kontratave nga agjencia ishte bërë pa i shlyer obligimet financiare. Në katër raste të tjera, shembull tek ndërmarrja shoqërore “Ndërmarrja e Re Grand hotel”, AKP nuk i kishte menaxhuar si duhet. Rastet kanë të bëjnë me rritjen e hapësirave afariste, këto ndryshime nuk ishin bërë në kohën e duhur dhe si rezultat i keqmanaxhimit humbja potenciale është vlerësuar 505 mijë euro. Ne kemi identifikuar tri raste, ku AKP kishte lidhur kontrata me qira marrës për prona e lokale të caktuara, mirëpo ato prona shfrytëzohen nga subjekte të tjera, shfrytëzues të pa autorizuar, për të cilat AKP nuk kishe marrëdhënie kontraktuale të qiradhënies. Për dy prona AKP kishte vazhduar qiranë pa shqyrtuar kushtet dhe qëllimin e dhënies me qira”, theksoi ajo.
Për një pronë tjetër, AKP në vitin 2021 kishte lidhur kontratë me një qiramarrës për tokën bujqësore me sipërfaqe 10.007 m2, me çmim prej 122 euro në muaj.


