Ministrja e Jashtme e Norvegjisë, Anniken Huitfeldt, mbajti një fjalim në konferencën “Arctic Frontiers 2023”, ku iu referua marrëdhënieve me Rusinë.
Edhe pse lufta në Ukrainë po zhvillohet relativisht larg kufijve të Norvegjisë, shefja e diplomacisë norvegjeze thekson se lufta ka pasoja të thella edhe për vendet e Evropës veriore.
“Kjo konferencë tregon se aktivitetet e Rusisë nuk i kanë heshtur bisedimet e rëndësishme për kufijtë e Arktikut. Norvegjia do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të konsiderueshme ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën. Për aq kohë sa është e nevojshme. Bashkëpunimi ynë dypalësh me Rusinë është reduktuar në minimum. Aktivitetet e përbashkëta afatgjata janë vënë në pritje. Regjimi rus po bëhet gjithnjë e më totalitar dhe i paparashikueshëm”, ka thënë ajo.
Megjithatë, thekson se Rusia është ende fqinje e Norvegjisë.
“Ne nuk mund të ndryshojmë gjeografinë tonë. Ne duhet të mbajmë kontakte me Rusinë në mënyrë që të zvogëlojmë rrezikun e keqkuptimeve dhe përshkallëzimit të paqëllimshëm në Arktik. Situata në veri aktualisht është e qëndrueshme, por ne shohim një shkallë të lartë të aktivitetit rus atje. Gjërat mund të ndryshojnë shpejt”, shtoi ajo.


