Trupi gjykues i kryesuar nga Charles L. Smith III, u ka vazhduar masën e paraburgimit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjykimi ndaj të cilëve pritet të fillojë më 1 mars.
Sipas gjykatës, në këtë kohë rreziku i arratisjes për dy të akuzuarit nuk mund të jetë i justifikuar për vazhdim të masës së paraburgimit.
Por, në vendime thuhet se trupi gjykues është i bindur, bazuar në standardin përkatëse ekziston rreziku që të dy të pengojnë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe rreziku që të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët, të cilët kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ose duhet të paraqiten në DhSK.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.


