Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi se roli i Greqisë në përpjekjet për ulje të tensioneve është i mirëseardhur.
Kryediplomatja e Kosovës, Gërvalla, e ka falënderuar homologun grek për vizitën dhe e ka njoftuar atë për zhvillimet në Kosovë, për aplikimin në BE dhe zhvillimet e fundit në vend.
Ajo tha se mirëpret angazhimin e Athinës zyrtare dhe se roli grek pritet të ketë efekt edhe në normalizim.
“Roli i Greqisë është shumë i mirëseardhur dhe shumë i domosdoshëm në përpjekjet për të ulur tensionet edhe me Serbinë, me qëllim që pastaj të mund të pasojë normalizimi në vend të përshkallëzimit”, ka thënë ajo.
Në takim me homologun grek, Nikos Dendias, Gërvalla tha se u diskutua për ekonominë, anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Këshill të Evropës.
“Biseduam rreth iniciativave për të bashkëpunuar në kulturë dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin evropian dhe në Këshillin e Evropës dhe Kosova është në rrugën e saj drejt NATO. Kosova nuk është rast i veçantë në zhvillimet gjeopolitike vetëm në raport në raport me Serbinë, por të veçantë e bën edhe fakti që ka popullin më pro evropian dhe më pro NATO në kontinentin tonë. Është fat historik që jemi të përkushtuar ta ndjekim”, shtoi ajo.


