Pas adresimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka nisur seanca plenare e cila ka vetëm një pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e dytë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.
Në hapje të seancës së radhës, ku si pikë e rendit të ditës është Projektligji për buxhetin e vitit 2023, në fillim të seancës fjalën e mori kryetari i Komisionit për Buxhet e Transfere, Armend Muja, i cili ftoi deputetët që ta votojnë këtë projektligj.
“Komisioni për Buxhet punë dhe Transfere në mbledhjen e mbajtur më 7 dhjetor 2022, ka shqyrtuar projektligjin nr. 08 L 193, mbi ndarjen buxhetore mbi buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe ka vendosur që t’ua paraqesë Kuvendit këtë rekomandim që ky ligj të miratohet me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional”, tha, mes tjerash, deputeti Muja, njëherësh kryetar i Komisionit për Buxhet e Transfere.
Por janë deputetët e partive opozitare nga PDK e LDK, që kanë disa pakënaqësi dhe paralajmëruan se ky buxhet i shtetit do të atakohet nga ta edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti nga radhët e PDK, Mërgim Lushtaku ka deklaruar se shumica parlamentare dhe qeveria po rrezikon funksionimin e shumë organizatave buxhetore të cilat janë të varura nga buxheti i Kosovës, pasi nuk kanë marrë për bazë asnjë kërkesë të tyre.
“Kemi shumë institucione të pavarura që janë të varura nga buxheti i Kosovës dhe nga kërkesat që kanë paraqitur në çdo komision dhe me një arrogancë të shumicës, për arsye se tashmë dihet se i kanë votat në çdo komision, edhe në komisionin për financa nuk i kanë kaluar këto kërkesa, nga të gjitha organizatat buxhetor. Më lejoni t’i theksoj disa prej tyre siç është Këshilli Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës, komunat të cilat varen edhe nga buxheti i Kosovës dhe shumë deputetë të cilët i kanë paraqitur kërkesat e tyre dhe nuk janë marrë parasysh nga arroganca….do të jetë buxheti i parë i Republikës së Kosovës që do të atakohet dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese për shkak të një amendamenti të cilin e ka propozuar ministri i Financave por nga ai shihet qartë se buxhetin vetanak të komunave të Kosovës t’ia marrë në buxhet të Kosovës dhe ta drejtoj në komunat e tyre“, tha ai.
Edhe Grupi Parlamentar i LDK-së ka kërkuar që të fshihet fjalia e paragrafit 6 të Nenit 9 të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, që parasheh që mjetet vetanake të komunave që kanë mbetur pa shpenzuar, të barten në Fondin e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.
“Në bazë të rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i LDK’së ka propozuar amandamentim në tekstin e Ligjit. Në Nenin 9, paragrafi 6, propozojmë që të hiqet fjalia “të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiscal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit Kosovar në bilancin banker”. Kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, Ne e konsiderojmë se nëse mbetet në mënyrën e tillë, është dëmtim i jashtëzakonshëm i buxhetit lokal dhe është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka paralajmëruar se nëse nuk kalon ky amandament, LDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse nuk kalon ky amandament, ky projektligj do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ne si Grup Parlamentar do ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Gashi.
Në fund të muajit tetor, Qeveria Kurti miratoi projektligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm, me ç’rast u bë e ditur se shuma totale do të jetë 3.2 miliardë euro.
Kështu, buxheti i vitit të ardhshëm është më i larti në historinë e Kosovës dhe do të jetë saktësisht në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro.
Më 17 nëntor, projektligji në fjalë kaloi në lexim të parë me 64 vota pra.
Ndryshe Projektligji i buxhetit të vitit 2023 së fundi është prezantuar në disa komuna të Kosovës, nga kryeministri Albin Kurti, ministri Hekuran Murati dhe ministra të tjerë./KosovaNews