Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), e mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë, të mërkurën ka nisur një fushatë për informimin e publikut, e cila promovon rolin e Agjencisë në kontrollin e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët, parandalimin e konfliktit të interesit si dhe hetimin e raporteve të sinjalizimit.
Sipas komunikatës së Zyrës së BE-së në Kosovë, fushata “Për Kosovën pa korrupsion”, e cila i bën thirrje publikut të raportojë korrupsionin, fillon pas miratimit të ligjeve të reja të cilat e forcuan mandatin e Agjencisë, duke i dhënë kompetenca dhe detyra shtesë, përfshirë sanksionimin e drejtpërdrejtë të zyrtarëve dhe vlerësimin e hapësirave për korrupsion në legjislacion.
Në lansimin e kësaj fushate ka marr pjesë shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“BE-ja e mbështet Kosovën në luftën kundër korrupsionit me qëllim që ta ndihmojë të afrohet me BE-në. Sigurimi i sundimit të ligjit është qëllimi ynë i përbashkët dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim punën e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, duke përfshirë edhe këtë fushatë”, citohet të ketë thënë Szunyog.
Ndërsa drejtori i Agjencisë, Yll Buleshkaj, ka theksuar se legjislacioni i ri iu jep mjete thelbësore për parandalimin e korrupsionit. “Legjislacioni i ri qartëson mandatin parandalues të Agjencisë si dhe e pajisë atë me mjete thelbësore për parandalimin e korrupsionit. Për më tepër, roli i pranisë së BE-së në Kosovë përkitazi me përpjekjet e institucioneve të Kosovës kundër korrupsionit është vendimtar”, citohet të ketë thënë Buleshkaj.
Sipas njoftimit me mbështetjen e zyrës së BE-së në Kosovë, kjo fushatë do të përfshijë pesë video dhe një broshurë të cilat ofrojnë informata për mandatin e Agjencisë, mënyrat se si publiku mund të raportojë korrupsionin, si dhe për gjobat dhe sanksionet me të cilat mund të përballen zyrtarët dhe institucionet nëse nuk e respektojnë ligjin.