Sot po prezantohet projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano. Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se projekti do të hidhet në garë ndërkombëtare fillimvitin e ardhshëm dhe do të nisë zbatimin me çeljen e kantierit të Porto Romanos brenda vitit 2023.
“Duhet pasur parasysh që përveç këtij prezantimi zyrtar sot, i cili padyshim do të ketë edhe elementë të shumtë teknikë ne do të bënim një ftesë për të gjithë trupin diplomatik që në javët në vijim, para fundit të Janarit ku do të jetë edhe momenti i lançimit të garës ndërkombëtare, mund të kishim një sesion të hapur me të gjitha kompanitë e interesuara, me prezencën e autoritetit Portual të Durrësit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe energjisë dhe padyshim “Royal Haskoning” për t’u dhënë atyre një pamje më të qartë teknike dhe financiare se si ne mendojmë ta zhvillojmë këtë projekt dhe për t’i përgatitur kështu në mënyrë transparente dhe të barabartë për garën që do të hapim në fund të Janarit të 2023-shit. Për ta bërë realitet këtë dimension rajonal duhet të punojmë edhe më shumë për të rritur sigurinë logjistike dhe eficencën e transporteve të mallrave mes vendeve tona. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të sigurojmë qëndrueshmëri ekonomike për qytetarët tanë dhe të bëhemi vende me kontribut të qenësishëm dhe të rëndësishëm për BE”, u shpreh zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.


