Qëndruan në kafene deri pas mesnate. E zënkën e filluar aty një 60 dhe një 39-vjeçar dyshohet se dolën ta zgjidhin në rrugë, ku u përdorën edhe mjete të mprehta. Siç merr vesh televizioni, të përfshirët në këtë ngjarje dyshohet të kenë qenë nën ndikimin e alkoolit.
E motivet e përleshjes që përfundoi me lëndimin e njërit prej tyre dyshohet se ishin të ulëta.
Kështu në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan të enjten pas mesnate, rreth orës 2, dolën organet e rendit ku gjetën viktimën. Personi i lënduar, 39 vjeçar, u dërgua për trajtim në Spitalin e Gjilanit, ku siç merr vesh televizioni kishte pasur sjellje jo të mira edhe me stafin e spitalit.
Nga aty E.H. për shkak të lëndimeve të marra u nis për në Qendrën Kryesore Universitare të Kosovës. Ai aktualisht po qëndron në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, raporton klankosova.
“Gjendja e pacientit është e mirë dhe është jashtë rrezikut për jetë, derisa pritet të lirohet brenda 4-5 ditësh për në shtëpi. 39-vjeçari është therur me thikë në mushkërinë e majtë, nuk ka pasur nevojë për intervenim, vetëm drenazh”, tha Nazmi Kolgeci, Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale.
Kurse i dyshuari është arrestuar pas veprimeve hetimore të policisë dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndaj tij është hapur rast për “Vrasje në tentativë”.


