Kuvendi i Kosovës po bën shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, të enjten, gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ka theksuar nevojën për miratimin e tij.
Edhe pse ka thënë se ligji në parim është “i padrejtë e i amniston ndërtuesit pa leje”, ai ka theksuar se në kuptimin e banorëve që i shfrytëzojnë sot ato banesa, duhet të bëjnë zgjidhje.
Aliu ka sqaruar se më këtë ligj do të legalizohen ndërtimet pa leje që i plotësojnë kushtet për leje, e të cilët nuk i kanë ndjekur procedurat siç është e përcaktuar me ligj.
“Jemi në situatën kur në Kosovë, janë 352 mijë objekte janë pa leje, vetëm Prishtina ka 46 mijë objekte pa leje. Mbi 75 % në Prishtinë dhe Kosovë, ndërtimet janë pa leje”, tha ai.
Aliu bëri me dije se 7314 objekte janë legalizuar. Sipas tij edhe interesimi për legalizim ka qenë i vogël.


