Nis sekuestrimi i 42 mijë litrave pije alkoolike në Hoçë të Madhe
Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë ka nisur procesin e sekuestrimit të 42 mijë litrave pije alkoolike pa autorizim që janë zbuluar në një dyqan në Hoçë të Madhe të Rahovecit të enjten.
Sipas pamjeve të publikuara në media, aty shihen një numër i madh i banorëve të Hoçës së Madhe që janë grumbulluar afër dyqanit. Ata po mbahen në një distancë nga Policia, teksa doganierët po kryejnë sekuestrimin.
Dëgjohet teksa një grua vajton për sekuestrimin e pijeve alkoolike. Më herët, një person u përpoq të kërcente nga një lartësi e konsiderueshme nga shtëpia ku ndodhet dyqani.
Dogana e Policia janë në vendngjarje që nga mëngjesi i sotëm.
Dogana fillimisht kishte thënë se i kishte sekuestruar pijet alkoolike, por më vonë tha se janë në proces të sekuestrimit. Derisa, sekuestrimi në të vërtetë ka nisur pak pas orës 13:30.


