Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë kanë pësuar lëndime në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Arllat të Drenasit.
Viktimë e këtij aksidenti është Mifail Thaçi nga fshati Llapushnik i Drenasit.

Aksidentin e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 07:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Arllat – Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje”, ka thënë Ahmeti.
Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar pesë persona.
Lajmin për vdekjen tij e kanë marrë me pikëllim të thellë familja e “Vëllëzërve Thaqi”, të cilët kanë bashkëpunuar me të ndjerin në transport të udhëtarëve.
‘Ma kpute shpirtin o vlla, ishalla për xhenet’, ka shkruar sipër fotografisë Elmiu, bashkëpunëtor i Mifailit.
Për vdekjen e Mifailit ka lëshuar telegram ngushëllimi edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Në këto momente shumë të rënda për tërë familjen, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, për këtë tragjedi. Bashkë me Juve, ndjejmë po ashtu dhimbje për këtë humbje të madhe”, thuhet ndër të tjera në telegramin e Komunës së Drenasit.


