Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, do të jetë këshilltare e ministrit të ri për Komunitete dhe Kthim të Qeverisë Kurti, Nenad Rashiq.
Këtë informacion për Media Center e ka konfirmuar vetë Rashiqi të enjten.
“Është e duhura për t’u emëruar sepse ka një përvojë dhe njohuri të shumta. Është e sigurt që mund të mësohet shumë prej saj dhe do të japë një kontribut të madh në punën e ministrisë. Përveç kësaj, ajo ishte një nga kandidatet në listë dhe kështu mori përgjegjësinë dhe pati guximin të ishte pjesë e listës së partisë sonë”, ka thënë Rashiq.
Në bazë të kompetencave të tij kushtetuese e ligjore, kryeministri Albin Kurti sot e ka emëruar në pozitën e ministrit politikanin nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.
Dokumentin që ka siguruar KosovaNews shihet se Rashiq do të udhëheq Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Këtë pozitë deri para pak kohësh e ka mbajtur ish- ministri nga Lista Serbe, Goran Rakiq, i cili dha dorëheqje.
Vlen të theksohet se në zgjedhjet e fundit parlamentare, Nenad Rashiq kishte kandiduar me partinë e tij Partia Progresive Demokratike.
Rashiq edhe gjatë Qeverisë Kurti 1, ka qenë një kohë pjesë e kabinetit qeveritar si këshilltar i kryeministrit.
Ndryshe, Rashiq është kundërshtar politik dhe kritik i zëshëm i Listës Serbe, subjekt politik në Kosovë, që prej formimit më 2013, është i vetmi përfaqësues i komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
Lista Serbe gëzon mbështetje të plotë të Beogradit zyrtar dhe me urdhër prej atje mori vendin e doli nga institucionet e Kosovës, si shenjë proteste për vendimin qeveritar që të vendosen targa RKS në gjithë territorin.
Ndërkaq tani kjo listë edhe pse i braktisi vetë dhe e shtyrë nga Beogradi zyrtar institucionet e Republikës së Kosovës tani ankohen pse dikush tjetër është emëruar dhe mori pozitën e ministrit.
Lista Serbe sërish ka ankesa në drejtim të kryeministrit Kurti dhe thotë se do të ankohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi e ka cilësuar si antikushtetues emërimin e Nenad Rashiqit si ministër për Komunitete dhe Kthim.


