Në ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, KOMF bën thirrje drejt institucioneve të ndërhyjnë me veprime konkrete për të garantuar mbrojtje dhe mirëqenie për të gjithë fëmijët në Kosovë.
Përmes një komunikate për medie, KOMF reagon për trajtimin dhe qasjen jo të duhur ndaj fëmijëve, duke kërkuar nga institucionet e vendit që të marrin në mbrojtje, sepse, sipas KOMF-së, ata kanë nevojë për mbështetje institucionale.
“Fëmijët viktima të abuzimit seksual, fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët e përfshirë në punë të rënda dhe fëmijët viktima të abuzimit me substanca narkotike, kanë nevojë për mbrojtje dhe mbështetje të menjëhershme nga institucionet”, thuhet në komunikatë.
Veç kësaj, KOMF vë në pah sfidat e fëmijëve me aftësi të kufizuara e që ndjehet nevoja e një qasjeje dhe gjithëpërfshirja nga ana institucionale ndaj kësaj kategorie të fëmijëve, në mënyrë që ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Tutje, KOMF reagon edhe për mungesën e theksuar të institucioneve ndaj fëmijëve të cilët janë të përfshirë në punë të rënda dhe fëmijët viktima të abuzimit me substanca narkotike.
“Në përgjithësi, shërbimet sociale vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë, përderisa kërkesa për këto shërbime po rritet në vazhdimësi. Ka mungesë të shërbimeve për fëmijët në nevojë, sidomos shërbimet e parandalimit dhe riintegrimit. Për të siguruar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët, është i domosdoshëm financimi i qëndrueshëm i shërbimeve sociale”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e KOMF-së.