Sot rreth orës 00:55, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në zonën e fshatit Maxhunaj, ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një veturë.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Policia bën me dije se rreth orës 07:50, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) është pranuar njoftimi se, përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit viktima mashkull 22 vjeçar, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident.
IndeksOnline raportoi më herët se viktima në fjalë është ish-futbollisti, Fatjon Bunjaku.
“Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit” deklaron PK-ja.



