Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka qëndruar për dy ditë në Holandë, me ç’rast ka takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë duke u gjykuar në Hagë.
Në këtë rast, Mehaj tha se fitorja do t’i takojë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton KosovaNews
Ai bëri të ditur se gjatë qëndrimit dy ditësh në Holandë i ka takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë padrejtësisht duke u gjykuar në Hagë.
“Kam takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa kam biseduar shkurt edhe me, Hysni Gucatin i cili është duke u përballur me probleme shëndetësore”, tha ai.
Mëhaj shtoi se në takimet që kam realizuar me secilin, i kam njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për antarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë.
“Të gjithë me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajsinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë”, ak shkruar Mehaj.
Ministri ka uruar që të gjithë të lirohen sa më shpejt.
“Ditët e së ardhmës së Republikës sonë qofshin sikur pikturat e Rexhës – sa të bukura aq përmbajtjesore. Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë sërish fitimtare!”. /KosovaNews


