Një automjet Volksëagen Bora ngjyrë hiri dhe me targa 02 – 626 – FL, pronë e N.C., është djegur mbrëmë rreth mesnatës në Leposaviq, ndërsa përveç dëmeve materiale, persona të lënduar nuk ka.
Sipas KosovaPress-it ngjarja ndërlidhet me regjistrimin e automjetit në targa RKS që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe se automjeti është djegur qëllimshëm nga autorë deri tani të panjohur.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq.
“Në rrugën pranë çerdhes së vjetër në Leposaviq, është djegur automjeti VË ngjyrë hiri, pronë e C. N. (1991) me targa të Kosovës. Në vendin e ngjarjes janë ekipet e zjarrfikësve, policisë, si dhe inspektorët, ndërsa është informuar edhe prokurori i shtetit, i cili e ka karakterizuar incidentin si ‘zjarrvënie’. Hetimet janë në zhvillim”, ka thënë ai.
Ndryshe, një ditë më parë në Leposaviq ishte djegur automjeti i një rreshteri policor.
Pak ditë më parë përgjatë konference për media, presidentja Osmani është pyetur edhe rreth kërkesës së të dërguarit amerikan të Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që riregjistrimi i makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – të shtyhet për 10 muaj.
Osmani në këtë rast tha se shtyrja tregon se po tolerohen kërcënimeve e bandave serbe ndaj serbëve lokalë të Kosovës.
“Është një temë që kemi duke e diskutuar që shumë muaj dhe ajo që e kam thënë në takim me zotin Escobar është që kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit. Mos të harrojmë që mbi 90 për qind të serbëve që jetojnë në Kosovë, tashmë i kanë targat RKS, pra e respektojnë ligjin dhe e respektojnë parimin e barazisë para ligjit për të gjithë, pavarësisht etnisë”, ka thënë ajo, raporton KosovaNews.
Ndërkaq një javë më parë pas një sulmi që ka ndodhur ë pjesën veriore të vendit ka reaguar edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai tha se tentimet për frikësime ndaj qytetarëve që po regjistrojnë automjetet e tyre në targa RKS po vazhdojnë edhe më tutje në pjesën veriore.
“Tentimet për frikësime po vazhdojnë. Sot një tjetër oficer i Policisë së Kosovës nga komuniteti serb është sulmuar nga strukturat ilegale të cilët i kanë djegur veturën me targa legale RKS. Kjo është një ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Ministri Sveçla e ka fajësuar direkt për këtë akt dhe situata tjera të ngjashme presidentin serb Aleksandër Vuçiq, i cili ditë më parë hapur foli për paraqitjen e njerëzve të uniformuar në veri të Kosovës./KosovaNews/


