Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim të Dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi angazhimin dhe konstruktivitetin e vazhdueshëm, që nga fillimi i mandatit, në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me fokus në marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër. Tutje, z. Bislimi e informoi Sir Stuart Peach rreth situatës me energji në veri si dhe me situatën energjetike në Kosovë në përgjithësi, për të cilën z. Peach ofroi disponueshmërinë e tij, të ndihmojë aty ku është e mundur, duke patur parasysh krizën e përgjithshme që ka kapluar Evropën”, u than ë komunikatë.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se për Kosovën, Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe vazhdon të mbetet aleat i fuqishëm dhe përfshirja e tyre në proceset me rëndësi nëpër të cilat po kalon vendi, është pozitive për ne si shtet.
Peach, sipas Qeverisë theksoi që Mbretëria e Bashkuar do ta përkrahë Kosovën nga pozita ku ndodhet, sidomos në kuadër të aleancës së NATO-s.


