Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me iniciale D.M, raporton KosovaNews.
Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se i pandehuri D.M. gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, në pikë kalimin kufitar të Jarinjës, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka vepruar në kundërshtim të Ligjit të zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse.
“Ai me qëllim të importit dhe eksportit, ka poseduar katër (4) paketime me municion me katërmijë (4000) copë fishekë në bagazhin e veturës VË Golf 3, po ashtu në shtëpinë e të akuzuarit është gjetur armë AK 47 dhe tre (3) karikator”, thuhet nga Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri D.M. ka kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armeve apo materialeve plasëse” nga neni 364, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Ai po ashtu ka kryer edhe veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së./KosovaNews/


