Në ambientet e Kuvendit të Kosovës të hënën, ka vazhduar procesi i rekrutimit të dy kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ku siç ishte paraparë, sot iu nënshtruan testit me shkrim të 5 kandidatët e nominuar.
Në fillim të testit me shkrim kandidatët u informuan nga anëtarët e komisionit me rregullat dhe përmbajtjen e testit.
Testi përbëhej nga tre pyetje dhe një ese, e që kandidatët kishin 90 minuta në dispozicion për t’i dhënë përgjigjet e tyre.
Të gjithë kandidatët e nominuar ishin burra, pasi e vetmja kandidate grua ishte eliminuar në fazën e mëhershme të këtij procesi, për shkak se kishte dështuar të plotësonte dosjen me dokumentet e nevojshme edhe pse komisioni ia kishte mundësuar një gjë të tillë.
Ndryshe, anëtarët e komisionit janë: Adnan Rrustmei, Driton Selmanaj, Mimoza Kusari, Pal Lekaj, Albert Zogaj, Agim Ferati dhe Enis Karvan.
Procesi për emërimin e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ka dështuar dy herë radhazi, si mungesë e votave të mjaftueshme në procesin e votimit në dhjetor të vitit 2021 dhe maj të këtij viti.
Komisioni i Posaçëm për këtë çështje, kishte shpallur konkursin publik për herë të tretë në shtator të këtij viti, me ç‘rast u nonimuan gjashtë persona për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, do ta monitorojë në tërësi procesin e përzgjedhjes së dy gjyqtarëve, gjetjet e të cilit do t’i publikojë me rastin e dërgimit të emrave për votim në Kuvendin e Kosovës.


