Mbrojtësi i gjyshit mbi 80 vjeç, Musli Rexhepi, avokati Tomë Gashi, të enjten kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të aprovohet kërkesa e tij për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave ndaj klientit të tij.
Rexhepi po akuzohet nga Prokuroria se tentoi ta sulmonte kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë një mbledhje në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Ai ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet barrë në seancën fillestare të mbajtur më 7 shtator 2022.
Në seancën e sotme, avokati Gashi tha se në këtë rast konsideron se nuk ka asnjë element të asnjë vepre penale, sipas tij i akuzuari Rexhepi nuk ka dashur të parandaloj grevën.
“Zotëri Rexhepi as nuk ka dashur as nuk ka mund ta parandaloj ose ta pengoj grevën, e cila fatkeqësisht deri në ditën e dorëzimit të kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave ka qenë duke vazhduar”, tha Gashi.
Tutje, ai i propozoi gjykatës që ta hudh aktakuzën e prokurorisë si dhe të shpall provat e bashkangjitura në akuzë si të papranueshme.
Ndërkaq, prokurori Blerim Igrishta propozoi që të refuzohet kërkesa e mbrojtësit dhe të procedohet më tutje me lëndën duke caktuar shqyrtim kryesor.
“Pas elaborimit të shkurt nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit në lidhje me kundërshtimin e provave, e në të cilin i njëjti kësaj gjykata nuk ka ofruar ndonjë dëshmi apo provë me të cilin do ta bindte gjykatën se tani i akuzuari nuk është kryesi i veprës penale siç është përshkruar në aktakuzë përveç faktit se i njëjti pretendon se nuk qëndron kjo vepër penale, konsideroj se gjykata një kundërshtim të tillë nuk duhet ta aprovoj”, tha Igrishta.
Pas kësaj, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica konstatoi se palët do të njoftohen në afat ligjor për vendimin e gjykatës, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, sipas aktakuzës më 5 shtator 2022, rreth orës 11:40, i akuzuari pasi që kishte shkuar në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë për ta dërguar mbesën e tij për mbajtjen e mësimit kur e ka vërejtur se mësimi nuk po mbahet dhe arsimtarët janë në grevë, i njëjti ka hyrë brenda në shkollë ku ishte duke u mbajtur takimi i grevistëve me kryetarin e sindikatës dhe me të përfunduar ky takim derisa i dëmtuari Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut po dilte nga takimi, i akuzuari duke përdorur forcë dhe kanosje serioze me qëllim të pengimit të grevës, në mënyrë të kundërligjshme e ka kanosur tani të dëmtuarin me fjalët “ O plak po na i len fëmijët pa shkollë, kam me të vra”.
Aktakuza thotë se i akuzuari tenton që ta sulmojë, por ndalohet nga të pranishmit dhe me këtë rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë.
Me këtë, Rexhepi akuzohet se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtës në grevë”, nga neni 221, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


