Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, se Evropa nuk i ka kërkuar Serbisë që t’i respektojë marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën.
Ajo tha të dielën se Evropa duhet ta pyesë veten se si po e lejon Serbinë të del pro agresionit rus mbi Ukrainë.
“Dialogu është me rëndësi, por është me rëndësi në kuptim të përmbajtjes. Nëse ndryshon realiteti, nuk nënkupton që s’duhet të ndryshojë qasja. Nëse njëra palë në tavolinë i jep shuplakë partnerëve në Perëndim dhe rreshtohet kah një kriminel lufte, atëherë duhet të bëhet pyetja çka tash. Çka i thotë kjo Vuçiqit dhe Putinit. Çka thotë kjo në sytë e Perëndimit. A është Perëndimi aq i dobët sa nuk arrin t’i përshtatë veprimet, kur dikush rreshtohet me dikë që kërcënon paqen, madje me përdorim të armëve bërthamore. Kemi të bëjmë me një Rusi agresive. Evropa s’ka kërkuar nga Serbia t’i përmbushë detyrat që lindin nga marrëveshjet e nënshkruara”, deklaroi Gërvalla.
Ministrja Gërvalla u shpreh se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është i përfshirë në gjenocid, derisa theksoi se edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte kërcënuar NATO-n në vitin 1995.
“Kosova synon të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Jo vetëm që është e mirë për ne, por është e rëndësishme edhe për Perëndimin. Rusia kurrë s’ka hequr dorë nga përçarja e Perëndimit”, tha ajo.
Gërvalla tha se Kosova duhet të bëhet pjesë e BE-së, derisa përmendi Slloveninë dhe Kroacinë, si ish-vende të Jugosllavisë, që pati u anëtarësuan në BE, u sulmuan më pak nga Serbia dhe Rusia.
“Kemi të bëjmë më një provë të perëndimit dhe gatishmërisë e vendosmërisë për të mos u mashtruar ose çorientuar nga partnerët. Lufta në Ukrainë ishte thirrje për të çelur sytë. Ishte një test për perëndimin dhe për ne. Duhet t’ia dalim mbanë”.


