Anëtarët e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës do të intervistojnë sot kandidatët për pozitën e dy anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur përmes faqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës, ku thuhet se intervistimi i kandidatëve do të bëhet nga Komisioni për Legjislacion.
Komisioni do t’i intervistoj kandidatët për dy pozita: një anëtar nga radhët e gjyqtarëve (shqiptar) dhe për një anëtar nga radhët e komuniteteve tjera (jo serb).
Pas zhvillimit të intervistave dhe më pas poentimit, Kuvendit do t’i dërgohen katër emra për t’u zgjedhur më pas dy anëtarë, në mënyrë që të zbatohet Neni 108, paragrafi 6, nënparagrafi 2 dhe 4 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Votimi për këta anëtarë do të bëhet me votim të fshehtë, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, (Neni 10, par. 8) dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit. Mandati i anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është 5 vjet.


