Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Vjollca Shala, pas mbledhjes së Komisionit për Arsim, ku debatuan për gati tri orë me përfaqësues të Qeverisë, ka thënë se kryetari Rrahman Jasharaj nuk ishte prezent për shkak të angazhimeve të tjera.
Për debatin e zhvilluar në Komision, Shala ka thënë se do të mbajnë një diskutim edhe me këshillin grevist.
“Jasharaj është edhe kryetar i këshillit grevist të BSPK-së dhe ka pasur angazhime tjera për këtë arsye nuk ishte në takim dhe unë si nënkryetare isha e pranishme. Ne mbajmë takime të vazhdueshme me kryetar të sindikatave të nivele komunale. Sot gjithsesi ne mbajmë takim përgjigjen e marrim pasi të konsultohen kryetarët e sindikatave me anëtarësinë punëtorët e arsimit”, ka thënë ajo pas përfundimit të mbledhjes.
Por Shala nuk ka specifikuar se çfarë janë ato angazhime tjera të Jasharajt që nuk mori pjesë në diskutimet e sotme lidhur me mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për të dalë nga greva.
Në mbledhjen e Komisionit të Arsimit pati shumë debat mes palëve. Mbledhja përfundoi pa ndonjë rezultat.
Në fund, përveç përplasjeve, zgjidhje që nxënësit të kthehen në shkollë nuk u gjet. Megjithatë, përfaqësuesit e BSPK-së u zotuan se do ta marrin në konsideratë një kërkesë të kryetarit të Komisionit, deputetit nga radhët e Vetëvendosjes, Ardian Gola.
Ky i fundit ka dhënë një propozim për Sindikatën që t’i përdorin notat si protestë sindikale (notimin e nxënësve), që fëmijët të kthehen në shkolla.
Kjo të vazhdojë, sipas Golës, derisa të gjendet një zgjidhje mes Qeverisë dhe BSPK-së.
Ky propozim ka mbetur edhe të diskutohet me anëtarësinë e sindikatave.


