Shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se prindërve u janë shkaktuar telashe të reja dhe fëmijët po presin për t’u kthyer në bankat shkollore.
Sipas saj, ky vit do të duhej të fillonte ndryshe.
“Ja që fatkeqësisht fëmijët po ballafaqohen me një situatë që nuk e shkaktuan. Greva e SBASHK-ut po ua shkakton këtë dëm atyre. Dëmi është duke iu shkaktuar fëmijëve me pasoja të parikuperueshme. Në maj të vitit 2022 kërkesa e SBASHK-ut përveç 100 eurove, ishte që mësimdhënësit të futeshin ne ligjin e pagave me statusin që e meritojnë. Sot kemi SBASHK-un që thotë se nuk e kanë parë draft-ligjin e pagave gjë që është kërkesë e tyre në grevë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, SBASHK-u ka thënë se involvimi i Avokatit të Popullit është institucion që ka hyrë në rrugë për t’i përçarë sindikatat.
Ajo ka shtuar se Avokati i Popullit është institucion që nuk e ka bërë Qeveria dhe që i takon të jetë ndërmjetësues.
“Ligji për grevën, neni 16 parasheh që është obligim të bëhet sigurimi i minimumit të procesit të punës. Unë kam një pyetje për SBASHK-un. Cili është minimumi i punës së tyre sot? Me përuljen maksimale për të gjithë mësimdhënësit, por duhet të kthehen në shkolla dhe në procesin mësimor. Le të gjejnë mënyra të tjera për grevë, ide nuk mund t’iu japim, por edhe mund të ju japim. Lëshojini fëmijët mos i mbani peng”, ka thënë ajo.


