Edhe një shkollë tjetër nga komuna e Gjakovës nuk i është bindur SBASHK-ut dhe ka filluar procesin mësimor, duke thyer kështu grevën e nisur nga 25 gushti.
Bëhet fjalë për shkollën fillore “Mazllum Këpuska” në Gjakovë.
Lajmin për nisjen e mësimit e ka konfirmuar edhe drejtoresha e Arsimit, Eranda Kumanova – Baçi.
“Shkolla Mazllum Këpuska ka fillu sot, më ka informuar zyrtarisht, aty është vetëm cikli 6 deri 9” – ka thënë Kumanova – Baçi.
Drejtoresha ka bërë të ditur se mësimi është duke u zhvilluar edhe në shkollat “Këlmend Rizvanolli”, “Mustafa Bakija”, “Emin Duraku”, “Fehmi Agani”, “Yll Morina” pjesërisht dhe shkolla “Fan Noli” në fshatin Dujakë.
Vendimin për të ndalur grevën e nisur mësimin e mori ditë më parë Këshilli i Mësimdhënësve të SHMU “Mazllum Këpuska”.
“Ky vendim i Këshillit të Mësimdhënësve është marr për të mirën e përbashkët duke respektuar të drejtën e fëmijëve për arsimim. Këshilli i Mësimdhënësve mbetet pranë kërkesave të SBASHK-ut dhe vendimi për fillimin e mësimi është marr vetëm për të mirën e nxënësve. Të gjithë nxënësit duhet të dalin me çanta pasi që do të marrin librat mësimor. Falënderojmë prindërit për mirëkuptim dhe interesim, urojmë që të jetë nismë e mbarë dhe e suksesshme për nxënësit”, thuhet në njoftimin e shkollës.
Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht. Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.
Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të mbahet mësimi, sepse gjithë kërkesat e mësimdhënësve janë trajtuar e plotësuar në Projektligjin për paga.


