Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se arsimi është e drejtë elementare dhe se kufizimi i realizimit të kësaj të drejte shkakton efekte negative afatgjate.
Ajo ka thënë se është e vetëdijshme për gjendjen aktuale në arsim dhe kjo ka bërë që nga dita e parë të punojnë me përkushtim që arsimin ta nxjerrin nga kjo gjendje.
Sipas saj, gjithë ky angazhim i tyre pasqyrohet me mbështetjen e plotë të mësuesve që janë epiqendra e ndryshimeve cilësore.
Nagavci ka shtuar se ky rrugëtim duhet të jetë i përbashkët.
“Po punojmë në shumë segmente për ta përmirësuar sistemin. Sot gjendemi përballë një situate të pakëndshme dhe të papranueshme. Ka disa jave që nxënësit nuk po e përjetojnë të drejtën për mësim. Kjo për shkak të agjendave aspak të drejta. Dialogu nuk ka munguar asnjëherë me dhjetëra takime të mbajtura e me diskutime te gjata me SBASHK-un për t’i adresuar problemet. Ajo që është e qartë, aspektet ligjore e administrative të arsimit sot janë dukshëm me mirë prej kur e kemi marrë mandatin e do të jenë shumë më mire deri në fund të tij”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se me projektligjin për paga kategoritë e arsimit janë trajtuar dinjitetshëm.
“Trajtim të barabartë mes mësuesve klasor me mësimdhënësit e arsimit të mesëm. Nga sot është në konsultim publik projektligji, por fatkeqësisht deri më sot asnjë koment e përgjigje për projektligjin për paga”, ka thënë ajo.


