Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, nëpërmjet një postimi në Facebook, i është kundërpërgjigjur deputetës së PDK-së, Blerta Deliut, e cila kishte thëne se Instituti për krime lufte është themeluar në vitin 2011.
Ai ka thënë se Kosova asnjëherë nuk i ka dokumentuar krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë mbi popullin shqiptar.
“Qeveritë e shkuara për më shumë se 20 vjet kishin lënë të dëmtohen provat e dëshmitë e krimeve të Serbisë, kurse Institutin për krimet e luftës e kishin mbyllur ende pa u hapur, duke e lënë fillimisht pa asnjë mbështetje në kuptim të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale”, ka thënë deputeti Rrustemi.
Ai ka thënë se më në fund dhe për herë të parë, me Ligj të veçantë, po krijohet Instituti dhe të gjitha krimet e luftës të Serbisë do të dokumentohen institucionalisht.
“Historia e vuajtjeve nuk duhet të mbetet vetëm në kujtesën kolektive”, ka përfunduar ai.


