Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në konferencën e mbajtur të hënën pas Samitit të Procesit të Bërdo-Brionit në Slloveni, ka thënë se nuk është diskutuar çështja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, por ka ripërsëritur se vendi i tij mbështet pavarësinë e Kosovës.
Ai ka shtuar se qëndrimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, tashmë është i njohur dhe nuk dëshiron që t’i komplikojë gjërat.
“Nuk e kemi diskutuar atë çështje sepse do të ishte përtej asaj pikës që nuk ka kthim por e mbështes njohjen e Kosovës dhe aktualisht është joreale për Serbinë për ta njohur Kosovën dhe ky është vendimi i Vuçiqit dhe gjithë vendit, nuk dua t’i komplikoj gjërat, kemi pasur mundësi të ulemi dhe t’i dëgjojmë të dy palët”, ka thënë Milanoviq.
Në konferencën e përbashkët me Milanoviqin, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se askush nuk ka thënë asgjë për dialogun midis dy vendeve, ndërsa është kërkuar nga të dy palët që të mundohen t’i zgjidhin çështjet në mënyrë që të ketë stabilitet në rajon.
“Dialogu është diskutuar por askush nuk ka thënë diçka në këtë drejtim, ne kemi kërkuar që të dy palët të vazhdojnë me dialogun dhe të mundohen ti zgjidhin çështjet sepse vetëm në këtë formë paqja dhe stabiliteti do të ruhen në atë rajon”, ka thënë ai.
Sa i përket integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, Milanoviq ka thënë se nga informacionet që i ka marrë prej Vuçiqit, rreth 80 për qind e qytetarëve serbë janë kundër anëtarësimit.
Lidhur me dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në BE për Bosnjë-Hercegovinën, Milanoviq ka thënë se po të pyetej ai, do ta kushtëzonte që ky status t’iu jepej këtij vendi dhe Ukrainës në të njëjtën kohë.
“Në shumë raste kam thënë se nëse unë do të isha vendimmarrësi, në emër të Kroacisë unë do të kushtëzoja që statusin e kandidatit nëse do ua jepnin Ukrainës, njëjtë të vepronin edhe me Bosnjën. Si është e mundur që Ukraina të jetë në rregull e Bosnja jo”, ka thënë ai.


